Rindërtimi, Integrimi dhe Vaksinimi

Klodian Rjepaj, 14/12/2020

433

Dinamika e Politikave Publike është e organizuar rreth trinisë: ‘ide/vizion, institucione dhe interesa’. Në librin e tyre, “Politika, Shëndeti dhe Kujdesi Shëndetësor”, Theodor R. Marmor dhe Rudolf Klein, argumentojnë se sfida e zgjidhjes së problematikave apo konflikteve, në Shëndetësi, është e njëjtë si në të gjitha fushat publike, sidoqoftë rruga që zgjedh për ti sheshuar problematikat apo konfliktet, nëpermjet ‘vlerave’ apo ‘burimeve’ ose gërshetimit të tyre. Kjo Pandemi, testoi deri në maksimum vlerat dhe burimet në Shëndetësi. Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky test. Një periudhë sprove në të gjitha drejtimet. ( kam parasysh sfidat madhore të integrimit të Shqipëtareve që jetojnë në Shqipëri, për në Europë, sfida e rindërtimit nga tërmeti dhe sfida e ringritjes nga dëmet e pandemisë)

Mendoj që brezave që vijnë u kemi borxh dy gjëra për këtë periudhë: e para, tu japim mundësinë të kuptojnë se cfarë ka ndodhur realisht dhe si është përballuar realisht. Pra, një informacion i saktë dhe i detajuar i përballimit të epidemisë në Shqipëri, pa patetizma e pa shprehje shabllon, por informacion dhe analizë reale. E dyta, tu lëmë një sistem shëndetësor më të fortë dhe të përgatitur për të përballuar ngjarjen apo ngjarjet shëndetësore të rradhës.
Me të drejtë, qysh në krye të herës, kjo pandemi rëndom u quajt luftë me armikun e padukshëm nga shumë personalitete të politikës, shëndetësise, medias globalisht. Ishte pikërisht e panjohura dhe frika nga e panjohura, por edhe përpjekjet njerëzore për ta parandaluar e mposhtur, që i dhanë emrin Luftë! Një nga strategët ushtarakë kinez, Gjenerali Sun Tzu, i njohur edhe si filozof dhe shkrimtar në lashtësinë kineze, i njohur edhe në perëndim me veprën e tij “ Arti i Luftës”, thotë që fitorja vjen duke e njohur sa më mirë armikun. Duke qënë një vend konsumues i shkencës dhe jo krijues i shkencës ( të paktën në këtë rast) njohjen me armikun e kishim të gatshme nga ato vende që e studiuan dhe e bënë publike. Pra, ideja është që nuk shpenzuam kohë, burime apo gjë tjetër për të njohur virusin. Këtë e bënë të tjerët për ne. Ne thjesht i morëm të gatshme dhe zbatuam strategjinë tonë. Por, kam përshtypjen që strategjia jonë e ‘luftës’ po kthehet në një luftë totale pa kthim, ku rreziku më i madh është që të kthehemi në një vrimë të zezë që gëlltit vetveten! Nuk duhet të jesh strateg ushtarak që të kuptosh, që gjëja më e rëndësishme nga të gjitha në një luftë është strategjia e daljes prej saj. Pra, ka rëndësi nëse : * del duke u zvarritur nga lufta, natyrisht me te humburit në të dhe me ata që kanë mbijetuar dhe në rrjedhën e vet natyrale pret të shërohen plagët e luftës apo * të mendosh që gjatë luftës për strategjinë e daljes duke u perpjekur të vlerësosh fatkeqësinë, të respektosh fatkeqët në këtë mënxyrë që ka rënë, por edhe të japësh mesazhe shprese dhe ta kthesh në mundësi zhvillimi këtë fatkeqësi, për tu lënë brezave jo vetëm mundësinë dhe teknologjinë por edhe praktikën për tu përballur me ngjarjen apo ngjarjet shëndetësore të rradhës. Mendoj që Vaksina dhe Vaksinimi ndaj Virusit qe shkakton COVID-19 është një mundësi që na jepet për ringritje. Kjo, jo thjeshtë për tu kthyer te jeta normale me kafe e llafe, por si një mundësi dalje nga kjo situatë duke rregulluar dhe ato gjëra që nuk funksionuan sic duhet apo duke parandaluar breakdown të pjesëve të sistemit shëndetësor nën presion të vazhdueshëm e për rrjedhojë i jepet frymemarrje më e mirë gjithë sistemit shëndetësor nëpërmjet balancimit dhe ri-shpërndarjes së burimeve dhe kryesisht ato njerëzore. E them këtë, pasi siç duket ky virus do jetë edhe disa kohë midis nesh e më pas shpresojmë që të mos na shqetësojë më ( ne skenarin teorik që cdo gjë do shkojë sipas parashikimit). Ndërkohë që shkenca na dha një armë më shumë në funksion te rrugëdaljes, vaksinën, le ta shfrytëzojmë këtë mundësi për të ndërtuar strategjinë e cila do bëjë të mundur jo vetëm vaksinimin e popullatës, por edhe ringritjen/fuqizimin e sistemit shëndetesor nga dëmet e shkaktuara nga kjo ‘luftë’ si dhe do të fitojë e mbajë besimin e publikut në vazhdimësi në këtë proces.


Do të jetë një proces jo shumë i gjatë ne kohë (ndoshta deri në dy vjet) por pa fund në përjetim. Vaksina nuk është plumbi i artë që do zgjidhë sa hap e mbyll sytë këtë situatë. Masat duhet të vazhdojnë thonë institucionet dhe ekspertët më të zëshëm globalisht. Nga ana tjetër sfidat, jo vetëm logjistike e teknike, janë të shumta. Disa nga Sfidat me të cilat do përballet ky proces besoj do të jenë:
    •    zgjedhjet politike në pranverë 2021 dhe politizimi i procesit. Përdorimi politik i vaksinës do të thellonte debatin e sapo nisur në lidhje me efektet afatgjata të vaksinës, të cimat nuk janë testuar praktikisht, për shkak të emergjencës me të cilën u aprovua kjo vaksinë.
    •    Debati shkencor mbi vaksinën. Me të drejtë kanë filluar debatet në lidhje me aprovimin që FDA bëri për vaksinën e Pfizer/ BioNTech, ku 4 vota ishin kundër dhe një abstenim. Besoj që ky debat nuk ka për të qënë asnjehere shterues, por na tregon që ka rrezik të precipitojë në një terren me ngarkesa politike, sociale, folklorike dhe të ketë impakt negativ në mbështetjen e publikut jo vetëm ndaj vaksinës dhe procesit të vaksinimit, por edhe ndaj vetë sistemit. Në fakt, ka rëndësi primare të krijohen aleancat e nevojshme për të mbështetur këtë proces. Mjekët dhe personat e tjerë me ndikim publik janë të rëndësishëm në këtë proces. Pika fundore e cdo debati besoj duhet të jetë: “unë do ta bëj vaksinën” ose jo. Cdo diskutim tjetër ka vlera shkencore por jo praktike. FDA është globalisht e respektuar për standartet shkencore që përdor në lidhje me sigurinë e vaksinave, cilësinë dhe efektivitetin. Vlerësimi që bën FDA, është tejet rigoroz si në fazat e provave klinike ashtu edhe pasi është dhënë aprovimi për përdorim emergjent. Kjo do të thotë që do të jetë ende nën monitorim deri sa të marrë aprobim, por jo vetëm kaq. Ka dhe implikime se në cilat grup popullata do të aplikohet. Natyrisht, vaksina e aprovuar apo dhe vaksinat në pritje për aprovim, janë zhvilluar dhe aprovuar( nëse aprovohen dhe dy të tjerat në proces) në një kohë shumë të shpejtë të pa ndodhur më parë ( me përjashtim të aprovimit të vaxinës kundër Anthrax, por nuk është e njëjta gjë). Por kjo nuk do të thotë që ka probleme me sigurinë e tyre. Thjesht nuk dihen efektet praktike afatgjata. Teorikisht nuk duhet të ketë probleme. Praktikisht vaksina ka ndjekur provat klinike, ka treguar efektivitet dhe siguri. Praktikisht nuk është vënë në provë për afat te gjatë. Zakonisht vaksinat e reja testohen në praktikë për 5-10 vjet e ndoshta dhe më gjatë. 
    •    Komiteti teknik i përballimit të epidemisë, mendoj që duhet plotësuar në formë dhe përmbajtje, në mënyrë që të përballojë jo vetëm kërkesat për përballimin e situatës, por edhe vizionin për ringritje e zhvillim të sistemit. Dhe që ta bëjë këtë, në rradhë të parë duhet të ketë një vizion për ringritje e zhvillim, e më pas ta arrijë. Deri tani, komiteti ka bërë atë që i është kërkuar, të përballojë situatën me mjetet në dispozicion dhe me njohuritë në dispozicion. Dhe të gjitha gjasat janë që në rastin më të mirë, komiteti të na udheheqë drejt kthimit në gjëndjen e mëparshme. Ku ishe? Hiçgjëkundi. Fakti që virusi shkakton sëmundje nuk do të thotë që komiteti duhet te jetë vetëm dhe tërësisht medikal pasi dhe zgjidhjet që jep nuk dalin përtej klinikës. Pavarësisht kësaj, e them me bindje që është ofruar më e mira për Shqiptarët, ku të vetmet qëndra terciare për sëmundjet infektive dhe  sëmundjet e mushkërive në vend janë vënë në dispozicion të pacientëve Covid!! Pa përmendur që dhe ISHP është në dispozicion të plotë të situatës. Pra në njëfarë mënyre kësaj lufte i vumë në dispozicion ( dhe për luftim trup me trup ) ‘kështjellën e shtabit qëndror’ dhe ‘oficerët madhorë’ Po mirë, po tani që situata po ndryshon dhe vaksina doli si armë në mbrojtje të njerëzimit? Po tani që pavarësisht vaksinës, situata do vazhdojë të jete e vështirë për një kohë jo të gjatë por as të shkurtër? Do vazhdojmë të luftojmë nga shtabi qëndror vetëm me artilerinë e rëndë? Po strategjia e daljes? Apo do i lëmë qëndrat e vetme terciare në vënd tu rrëzohen dhe muret? Dëgjova jo pa keqardhje që në qendrat shumë të mira Covid 3 dhe 4 që janë ngritur do shtrohen pacientët e përmirësuar. Dmth do i shkojmë deri në fund luftës pa strategji dalje? Në cdo spital rajonal ka kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar 15-20 shtreter Covid. Mjekë nga keto spitale mund të vijnë ne Tiranë e të trajnohen për kohë të shkurter. “Oficerët madhorë” që kemi mund të trajnojnë, vlerësojnë e monitorojnë. Eksperienca e krijuar të jep mundësinë të kesh një protokoll mjeksor dhe një protokoll pune. Mundësia e komunikimit është ekselente falë dixhitalizimit. Hapësirat për shtretër mund edhe të jenë struktura parafabrikate për këtë qëllim, dhe jo domosdoshmërisht brenda spitaleve, dhe të vendosen në hapësira të lira pranë spitaleve rajonale. Me pak fjalë të përfshihet në luftë dhe “artileria e lehtë”, kavaleria, këmbësoria, pse jo dhe studentët. Nëse ka një gjë që është vërtetuar katërcipërisht nga kjo “luftë” eshtë që PPE janë treguar efektive dhe kanë mbrojtur. Aq më tepër me vaksinën, personeli do jetë edhe më i mbrojtur. 
    •    Logjistika dhe Procesi i Vaksinimit. Mbas gjithë këtyre qëndron një armatë njerëzish të përkushtuar, një zinxhir sigurie i testuar ndër vite, eksperiencë dhe lidership. Gjithësesi, duhet marrë parasysh që vaksinimi ndaj virusit që shkakton Covid-19, i shtohet kalendarit ekzistues të vaksinimit dhe nuk duhet të cënojë këtë proces. Prandaj Programi Kombëtar i Imunizimit ka nevojë për mbështetje shtese në burime logjistike, financiare për të realizuar këtë proces. Gjithashtu duhen menduar hapësirat e nevojshme për vaksinimin ndaj Covid-19 dhe jo të bllokojmë punën e konsultoreve anembanë vendit. Natyrisht është mundësia që ti jepet një shtyse proceseve të standardizimit, dixhitalizimit dhe përmirësimit të vazhdueshëm të cilësisë, të filluara prej vitesh nga Programi Kombëtar i Imunizimit. Në fakt, vaksinimi është një nga programet që i ka rezistuar proceseve të tranzicionit në Shqipëri, me disiplinën e krijuar në diktaturë, në aspektin e ofrimit të këtij shërbimi ndaj popullatës, por ka vuajtur shumë mungesat ndër vite. Është momenti të standardizohet tej e tej në gjithë Shqipërinë dhe të bëhet një program i denjë për emrin që ka. 
    •    Mbështetja popullore për vaksinën. Në këtë pikë besoj jemi me fat, pasi mbështetja është e madhe pikërisht për arsye të besimit të krijuar në vite ndaj vaksinave dhe ndaj personelit. Gjithësesi është një proces delikat dhe kërkon transparencë, expertizë dhe vendimarrje në lidhje me cilat grupe do të vaksinohen, cilat grupe me detyrim, a do të ofrohet vaksina për ata që duan të vaksinohen vullnetarisht etj. Që tani duhet të diskutohen në mënyre gjithëpërfshirëse këto protokolle dhe të behen publike gjerësisht. Vaksina apo Vaksinat në tërësi, janë produkt i shkencës. Shkenca në vetvete është produkt i arsyetimit logjik dhe eksperimentimit. Edhe aplikimi i vaksinës në fakt duhet të ishte produkt i arsyetimit logjik. Dmth vaksina më mbron nga virusi dhe për rrjedhojë nuk sëmurem apo nuk vdes. E drejtpërdrejtë dhe në shenjë, apo jo? Në fakt jo, nuk është kaq e drejtpërdrejtë, jo për të gjithë. Jo të gjithë i referohemi arsyetimit logjik për të marrë informacion apo për të marrë vendime. Ne, njerëzit jemi si një mozaik dhe bile për këtë rast dhe për këtë vendimmarrje jemi mozaik si ato kartolinat kineze, që kur kthehen në anë të ndryshme, marrin ngjyra të ndryshme. Me të drejtë, se vertetë vaksina është produkt i shkencës, eksperimentit dhe arsyetimit logjik, ndërkohë që individi që do ofrojë ‘tulin’ për vaksinën nuk është. Është produkt i një procesi më të komplikuar se kaq. Edukimi, tradita, kultura, feja mund të jenë objekt i studimit shkencor, por nuk janë rrjedhojë e kërkimit shkencor. Prandaj besoj që është e rëndësishme që vaksina të ketë mbështetje sa më të gjerë jo vetëm nga persona me ndikim publik, por edhe nga njerëz të thjeshtë me histori personale.

Konkludoj: më ka pëlqyer ideja e rindërtimit dhe mesazhi që është dhënë që do ringrihemi më të fortë se më parë, pas tërmetit të Nëntorit 2019. Jep shpresë por edhe kushte më të mira, sidomos për blloqet e reja të banimit, të cilat do përbëjnë një komunitet në kuptimin më tradicional dhe modern të fjalës, ku merr fund njëherë e mirë tortura shekullore e vështirësive të marrjes së shërbimeve publike si posta, shkolla, qëndra shëndetësore etj. Është e njohur shprehja e një të huaji që erdhi në Shqipëri, pas krizës në Kosovë të vitit 1999. Do financonin një projekt ujësjellësi në një fshat të largët të Kukësit. Pas shumë planifikimeve dhe kostove të larta, konsulenti u kujtua të pyesë se sa banorë ka fshati. I ka rreth 150 banorë i thanë. Më bie më lirë ti transferoj të gjithë në Kukës tha, se sa të ndërtoj ujësjellësin. Ndërkohë që, në lidhje me Integrimin, gjithmonë kam qënë pro bashkimit me familjen Europiane dhe pro gjithëpërfshirjes në këtë proces. Është një aspiratë që na bën të shpresojmë për të ardhmen. Pikërisht, nuk e teproj aspak nëse them që Vaksinimi është një gershetim i të dyjave më sipër, ringritjes dhe shpresës. Të dërrmuar nga kjo flamë, nga humbjet e njerëzve të afërt, nga dëmet shëndetësore dhe jo vetëm, vaksina dhe vaksinimi na jep mundësinë të ringrihemi. Është zgjedhja jonë nëse vendosim ta bëjmë këtë gjë me vizion,me klas, me stil, me aspiratën për të ardhmen e brezave. Siç është edhe mallkimi jonë që ta bëjmë këtë gjë sa për të kaluar lumin e rradhës, me mjete rrethanore ose jo, kur mundësia për të ndërtuar një urë të bukur e të fortë është aty. E nëse kur hymë në pandemi, ishim drejt të panjohurës dhe nuk kishim mundësi zgjedhjeje, tashmë e kemi, edhe këtë rradhë besoj vaksina nuk do të na zhgënjejë, siç ka bërë gjithmonë. Po ne?