40 studime të reja shëndetësore që do të ndryshojnë mënyrën se si jetoni
- Ka shumë elemente që mund të ndikojnë në shëndetin tonë por që deri tani nuk janë studiuar në mënyrë shkencore
- Artikulli në vijim ofron një përmbledhje interesante të të rejave më të fundit shëndetësore që mund të ndryshojnë mënyrë se si jetojmë
Nga trajtimet inovatore deri te të rejat më të fundit në fushën e parandalimit, këto studime të reja shëndetësore mund të kenë një ndikim të madh në mënyrën se si jetoni jetën tuaj
Ja lajmet e fundit nga bota e mjekësisë
1. Dremitjet e pasdites ulin presionin e gjakut

- Një studim Grek midis 386 pacientëve hipertensivë të moshës së mesme zbuloi se ata që dremisnin kishin presion më të ulët të gjakut sesa kolegët e tyre që rrinin zgjuar mbasdite. Pas kontrollit për faktorë të tjerë, duke përfshirë moshën dhe alkoolin, presioni i gjakut 24 orësh të matur në kushte ambulatore (një tregues i presionit të gjakut gjatë gjithë ditës, përkundrejt matjes së presionit të gjakut në zyrën e mjekut) ishte 5% më i ulët tek njerëzit që morën një sy gjumë prej 60 minutash. Kjo ulje është mjaft e madhe për të zvogëluar rrezikun e atakeve në zemër dhe për të ulur sasinë e ilaçeve antihipertensive potencialisht të nevojshme
2. Informimi rrit nivelin e suksesit të trajtimit të kancerit

- Trajtimet e kancerit kanë pothuajse dy herë më shumë gjasa të jenë të suksesshme tek pacientët të cilëve iu është dhënë informacion i shkruar rreth gjendjes së tyre, procedurave terapeutike dhe ndikimit të mundshëm në punën e tyre, sipas një raporti të fundit nga Universiteti i Londrës në Angli. Studiuesit supozuan se të diturit se çfarë të pret zvogëlon stresin dhe pasigurinë, të cilat njihen se ndërhyjnë me shëndetin. Për pacientët që punojnë, është gjithashtu e dobishme që të paralajmërohen paraprakisht se trajtimi i kancerit shkakton lodhje dhe ata mund të dëshirojnë të rregullojnë ngarkesat e tyre të punës në përputhje me rrethanat e reja
3. Të moshuarit e sotëm qëndrojnë në formë më të mirë kognitive (njohëse)

- Mesatarisht, njerëzit mbi 50 vjeç janë duke rezultuar më mirë në testet njohëse krahasuar me gjashtë vjet më parë, duke vazhduar një trend të të moshuarve gjithnjë e më të mprehtë. Rritja e nivelit të arsimimit është përgjegjëse për një pjesë të këtij efekti, por studiuesit në Institutin Ndërkombëtar për Analizën e Sistemeve të Aplikuara në Austri thonë se ka edhe një arsye tjetër: kërkesat intelektuale që shoqërojnë përdorimin e kompjuterëve dhe smartfonëve po i japin mendjeve në plakje e sipër një stërvitje të vazhdueshme
4. Madhësia e porcioneve dhe pjatave kontribuon në ngrënie

- Një rishikim sistematik i më shumë se 70 studimeve të mëparshme ka arritur në përfundimin se njerëzit vazhdimisht konsumojnë më shumë ushqime dhe pije kur atyre i’u ofrohen porcione, pjata ose vakte ushqimore të mëdha. Sipas autorëve të studimit, këto gjetje mund të justifikojnë zvogëlimin e madhësive të porcioneve të servirura në restorante, kafeteri dhe dyqane, në një përpjekje për të zvogëluar ekspozimin tonë ndaj serviseve të mëdha dhe për të luftuar epideminë e obezitetit
5. Vaksina kundër gripit mund të zvogëlojë rrezikun e goditjes cerebrale

- Për dy muajt e parë pas marrjes së vaksinës kundër gripit sezonal, shanset e prekjes nga një goditje cerebrale ulen ndjeshëm, sipas një studimi të financuar nga Instituti Kombëtar i Kërkimeve Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar. Niveli i përgjithshëm i goditjes cerebrale midis njerëzve të vaksinuar ishte rreth 20% më i ulët se ajo që do të prisnin statisticienët në rrethana të tjera. Vaksinimi i hershëm në sezonin e gripit bëri një ndryshim më të madh se sa vaksinimi i vonë. Shkencëtarët mjekësorë dyshojnë se goditjet cerebrale ndonjëherë shmangen nga gripi, megjithëse nuk janë të sigurt për mënyrën se si ndodh kjo
6. Shtesat e kalciumit nuk ulin frakturat e kockave

- Njerëzit mbi 50 vjeç - dhe gratë në veçanti - shpesh këshillohen që të marrin tableta të kalciumit për të shmangur thyerjen e kockave. Pas shqyrtimit të më shumë se 40 studimeve të mëparshme, një rishikim sistematik nga Zelanda e Re ka arritur në përfundimin se kjo masë parandaluese nuk është e nevojshme. "Aktualisht nuk ka fakte se rritja e marrjes së kalciumit parandalon thyerjet," thanë studiuesit. Me pak fjalë, shtesat e kalciumit mund të mos jenë të vlefshme nëse nuk vuani nga ndonjë mangësi e rëndë e kalciumit
7. Shikimi i televizorit rrit rrezikun e embolisë pulmonare fatale

- Ulja para ekranit të televizorit për 5 orë ose më shumë në ditë e dyfishon rrezikun e vdekjes nga embolia pulmonare (një bllokim në një nga arteriet pulmonare në mushkëritë tuaja), në krahasim me 2.5 orë ose më pak. Mesatarisht Kanadezët shohin rreth katër orë televizor në ditë. Koagulat e gjakut janë të lidhura me ndejtjen ulur për një kohë të gjatë, kështu që ngritja dhe ecja është një masë e mirë parandaluese
8. Kontaktet me persona të tjerë mbrojnë kundër depresionit

- Sa më shpesh të moshuarit takojnë familjen dhe miqtë, aq më pak gjasa ka që ata të zhvillojnë simptoma depresive, thotë një artikull i botuar në Journal of the American Geriatrics Society. Midis 11,065 pjesëmarrës, ata që u takuan me të dashurit ose miqtë e tyre të paktën tri herë në javë kishin një nivel depresioni prej 6.5% pas dy vjetësh, krahasuar me 11.5% midis atyre që i takuan çdo disa muaj ose më rrallë
9. Tryezat e punës në këmbë janë të lidhura kohën pa aktivitet fizik

- Në një studim britanik të botuar në Medicine & Science in Sports & Exercise, 40 punonjësve të zyrës iu dhanë vende pune që i lejonin ata të rrinin ulur ose të qëndronin në këmbë. Pas tre muajve, subjektet ishin më sedentarë në kohën e lirë sesa më parë, por koha e tyre ulur sidoqoftë u zvogëlua nga 10 orë e 5 minuta në ditë në 9 orë e 21 minuta. Studiuesit rekomanduan gjetjen e mënyrave për të qenë aktive jashtë punës, për të shmangur anulimin e efekteve të uljes më pak në punë
10. Personat që ecin në gjumë shpesh nuk ndiejnë dhimbje pas aksidenteve

- Pas studimit të 47 personave që kishin lënduar veten të paktën një herë gjatë gjumit, studiuesit në Montpellier, Francë, zbuluan se 37 prej tyre nuk përjetuan dhimbje derisa u zgjuan. Një burrë u ngjit në çatinë e tij, ra dhe theu këmbën, por nuk u zgjua deri në mëngjes. Paradoksalisht, somnambulët kishin më shumë të ngjarë të përjetojnë dhimbje kronike dhe migrenë në jetën e tyre zgjuar. Kjo sugjeron një marrëdhënie midis aktivitetit të trurit gjatë ecjes në gjumë dhe keq-funksionimit të perceptimit të dhimbjes, thanë studiuesit
11. Terapia e të folurit është më e mirë se sa terapia e dritës për SAD

- Çrregullimi emocional sezonal (SAD) është depresioni i shkaktuar nga ditët më të shkurtra në dimër. Terapia e dritës - ulja pranë një burimi drite që simulon diellin - konsiderohet trajtimi i standardit të artë. Sidoqoftë, një studim i Universitetit të Vermontit të 177 të sëmurëve zbuloi se, kur bëhet fjalë për parandalimin e ri-kthimit të SAD-it, terapia njohëse e sjelljes (CBT) është më efektive. Pasi pacientët mësojnë strategjitë e përballimit përmes CBT-së, ata i mbajnë ato gjithë jetën.
12. Niveli i "kimio trurit" varet nga lloji i ilacit të marrë

- Një nga efektet e mundshme të kimioterapisë është një rënie mendore afatgjatë. Një artikull i kohëve të fundit në revistën JAMA Oncology krahasoi pacientet me kancer të gjirit të cilët kishin morën terapinë me bazë antracikline me ato që morën lloje të tjera ilacesh. Gratë - pjesëmarrëse në një studim nga Stanford University në Kaliforni - raportuan mosfunksionim njohës, por pacientet me antraciklinë performuan dukshëm më keq në detyrat e memories verbale
13. Etiketat e ushqimit ndikojnë në shijen e perceptuar

- Në një eksperiment nga Universiteti Ghent në Belgjikë, 129 persona provuan katër lloje djathë Gouda. Mesatarisht, ata i përshkruan një shije më pak të kripur djathit me etiketën "kripë e reduktuar" dhe nuk e pëlqyen djathin me etiketë "pa kripë" aq shumë sa djathin me etiketë "i rregullt". Pa dijeninë e shijuesve, ata ishin në të vërtetë duke ngrënë të njëjtin produkt çdo herë. Mesazhi: etiketat e shëndetit ndikojnë në perceptimin e shijes, dhe disa ushqime që i mbajnë ato mund të jenë më të shijshme se sa mendojmë
14. Shtrojet e këpucëve janë një zgjedhje e mirë për artritin e gishtit të madh të këmbës

- Është vlerësuar se 44% e të moshuarve mbi 80 vjeç kanë osteoartrit në gishtin e madh të këmbës së tyre. Disa pacientë përdorin shtroje këpucësh ose këpucë me thembra të përkulura për të zvogëluar presionin në nyjën e gishtit të madh të këmbës. Një studim i sponsorizuar nga Këshilli Kombëtar i Shëndetit dhe Mjekësisë të Australisë zbuloi se të dyja ndërhyrjet e lehtësuan dhimbjen. Megjithatë, shtrojet e këpucëve mund të jenë më të mira - ato ishin më pak të ngjarë të shkaktonin dhimbje shpine dhe të crregullonin ekuilibrin
15. Zëvendësimi i testosteronit nuk është një terapi e vijës së parë

- Shoqata Europiane e Menopauzës dhe Andropauzës (EMAS) ka publikuar qëndrimin e saj mbi terapinë e testosteronit (TRT): ndërkohë që vlen në disa raste, nuk rekomandohet për të gjithë njerëzit e moshuar me rënie të testosteronit. TRT është e diskutueshme për shkak të efekteve të mundshme të saj mbi rreziqet për sëmundjet e zemrës dhe kancerin e prostatës, dhe derisa të mësojmë më shumë, EMAS u kërkon pacientëve që së pari të kryejnë më shumë aktivitet fizik, të lënë duhanin dhe të reduktojnë alkoolin.
16. Kirurgjia e kataraktës nuk redukton rrëzimet

- Marrja e mendve shpesh zvogëlohet pas operacionit rutinë të kataraktës, sipas rezultateve të një studimi të kohëve të fundit në anglisht të botuar në revistën Opthalmic & Physiological Optics. Megjithatë, përqindja e subjekteve që pësuan një rrëzim gjatë gjashtë muajve të ardhshëm mbeti e qëndrueshme (në krahasim me gjashtë muajt para operacionit) në rreth 20%. Një arsye mund të ketë qenë numri i pacientëve të cilët kaluan në syze multifokale pas operacionit. Këto janë shoqëruar me një rritje të rrezikut të rrëzimit: toka, dhe pengesat në të, mund të duken të paqarta kur shikohen përmes segmentit të gabuar të lenteve
17. Anemia është e lidhur me dëmtimin kognitiv

- Një studim Gjerman me mbi 4.000 pjesëmarrës të moshave 50 deri në 80 vjec gjeti një lidhje midis anemisë (një mungesë e qelizave të kuqe të gjakut) dhe dëmtimit të lehtë njohës, i cili është një fazë midis rënies të aftësive tipike të moshës dhe demencës. Shtesat ose transfuzionet e gjakut shpesh mund të përmirësojnë aneminë dhe trajtimi i këtyre gjendjeve mund të ofrojë një mënyrë për të ngadalësuar ndryshimet e padëshiruara në tru
18. Marrja e frymës fort me hundë ose gojë mund të parandalojë të fiktit

- Një rënie e papritur e presionit të gjakut dhe ritmit të zemrës shkaktojnë sinkop vazovagal, lloji më i zakonshëm i të fiktit. Në një studim Sllovak të paraqitur në konferencën më të fundit të mbajtur nga Shoqata e Kujdesit Kardiovaskular Akut, pacientët me një histori të këtij problemi, të cilat mund të çojnë në lëndime kur të sëmurët rrëzohen, dolën vullentarë për një test që simuloi efektin e ngritjes në këmbë shumë shpejt . Kur presioni i gjakut filloi të binte, ata merrnin frymë fort me hundë ose me gojë dy herë. Kjo dukej sikur ndërpreu procesin e të fiktit dhe parandaloi humbjen e vetëdijes
19. Qëndrimet rreth plakjes mund të ndikojnë në dëgjimin dhe kujtesën

- Në një studim nga Universiteti i Torontos, 301 të moshuar të moshave 56 deri në 96 vjeç u ekspozuan ndaj skenarëve të lidhur me humbjen e pavarësisë dhe aftësive, të cilat ishin projektuar për të vlerësuar pikëpamjet e tyre për të moshuarit. Subjektet që kishin mendime negative rreth plakjes dhe aftësisë së tyre për të kujtuar apo dëgjuar gjërat patën rezultate më të dobëta në testet e dëgjimit dhe kujtesës. Studiuesit pohuan se besimi i ulët në vetvete mund të jetë një faktor dhe i inkurajuan të moshuarit që të vënë në dyshim stereotipet e moshës dhe të përdorin ushtrime trajnuese për të përmirësuar performancën e tyre mendore dhe fizike
20. Dëmtimi i veshkave mund të fillojë që në pre-diabet

- Është një fakt i njohur se diabeti është një shkak kryesor i problemeve të veshkave, por dëmtimi mund të fillojë më shpejt se sa mendohej më parë. Një grup studiuesish në Spitalin Universitar të Norvegjisë së Veriut kanë zbuluar prova se veshkat, të cilat filtrojnë mbeturinat nga gjaku, kanë filluar të humbasin funksionalitetin e tyre që në fazën e pre-diabetit (të përcaktuara nga nivelet e sheqerit në gjak që janë më të larta se normale, por jo mjaftueshëm sa për një diagnozë zyrtare të diabetit). Për njerëzit me pre-diabet, një dietë e ekuilibruar dhe një mënyrë jetese aktive janë mënyrat optimale për të parandaluar diabetin dhe sëmundjet e veshkave
21. Vezët mund të ndihmojnë në parandalimin e diabetit të tipit 2

- Sipas studimeve të reja nga Universiteti i Finlandës Lindore, konsumi i moderuar i vezëve (rreth katër në javë) mund të zvogëlojë rrezikun e një gjendjeje të zakonshme shëndetësore në mbarë botën: diabeti i tipit 2. Edhe pse vezët kanë nivele të larta të kolesterolit, ato gjithashtu përmbajnë lëndë ushqyese që mund të përmirësojnë metabolizmin e sheqerit dhe të zvogëlojnë inflamacionin. (Studimet shëndetësore gjithashtu tregojnë se vezët janë ndër ushqimet më të mira të trurit për foshnjat). Dhe në Finlandë - në krahasim me Shtetet e Bashkuara, ku janë zhvilluar studimet e mëparshme - vezët nuk shoqërohen aq shpesh me mish të përpunuar, i cili lidhet me një rrezik më të lartë të diabetit të tipit 2
22. Besimi rritet me moshën dhe nxit lumturinë

- Një studim i botuar në revistën Social Psychological and Personality Science sugjeron që, kur njerëzit moshohen, ata janë më të aftë të falin zhgënjime të vogla dhe të shohin të mirën tek të tjerët. Studiuesit analizuan një mostër prej gati 200,000 subjektesh nga 83 vende të botës dhe gjetën një lidhje midis plakjes dhe rritjes së besimit që u ruajt pa marrë parasysh gjeneratën e personit. Megjithëse besimi ju bën më lehtë viktimë të mashtrimeve, ai mbetet i mirë për mirëqënien tuaj të përgjithshme të mirëqenies, pohuan ata
23. Rreziku i arrestit kardiak gjatë ushtrimeve fizike është minimal

- Megjithëse zënë titujt e faqeve të para, ataket kardiake gjatë sportit janë mjaft të rralla, sipas një studimi nga Cedars-Sinai Heart Institute në Kaliforni. Vetëm 5% e atakeve të papritura kardiake ishin të lidhura me sportet në grupin më të prekur, 35 deri në 65 vjeç. Dhe këto viktima patën një shans më të mirë për të mbijetuar se sa kolegët e tyre që pësuan të njëjtin lloj incidenti në zemër në situata jo-atletike. Autorët e studimit përfunduan se gjetjet e tyre përforcuan "natyrën e përfitimeve të larta/rrezikut të ulët të aktivitetit sportiv" në popullatën adulte
24. Herbicidi popullor ka të ngjarë të jetë kancerogjen

- Glifosati, përbërësi aktiv në Roundup, herbicidi më i zakonshëm në botë, "ndoshta" shkakton kancer, ka deklaruar Agjencia Ndërkombëtare e Kërkimit për Kancerin e Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Shkencëtarët shpenzuan gati një vit duke shqyrtuar studimet që lidhin limfomën e jo-Hodgkin me glifosatin. OBSH ende duhet të përcaktojë se cili është ekspozimi që rrit rrezikun për njerëzit – pasi shumica e njerëzve janë të ekspozuar vetëm ndaj niveleve të ulëta. Sipas Health Canada, dozat që patën efekt tek kafshët ishin më shumë se 100 herë më të larta se ato ndaj të cilave ekspozohen njerëzit kur përdorin glifosatin “sipas udhëzimeve të etiketës"
25. Terapia e ndërgjegjësimit për situatën aktuale është po aq efektive sa terapia me ilace

- Njerëzit që kanë vuajtur nga depresioni klinik kanë një rrezik të lartë të recidivës ose ri-kthimit të depresionit, kështu që ata normalisht përdorin antidepresantë për të paktën dy vjet pasi fillojnë të ndihen më mirë. Megjithatë, një studim i 424 pacientëve në remision, nga Mbretëria e Bashkuar, zbuloi se një trajtim i quajtur terapia njohëse e bazuar në ndërgjegjësimin për situatën aktuale (MBCT) rezultoi në përafërsisht të njëjtën shkallë suksesi (midis 53% dhe 56%) si dhe mjekimi. MBCT kombinon qasjen racionale të zgjidhjes së problemeve të terapisë njohëse të sjelljes me teknikat "mindfulness" të dizajnuara për të reduktuar stresin dhe për të arritur një gjendje mendore duke e përqendruar vetëdijen e njeriut në momentin aktual, dhe duke pranuar ndjenjat, mendimet dhe ndjenjat trupore të tij/saj
26. Ushqimi i stilit “Perëndimor” bën kërdinë në zorrën e trashë

- Dieta tipike Perëndimore ka sasi të larta yndyre dhe sasi të ulëta të fibrave, ndërsa ushqimet e konsumuara në vende të caktuara afrikane kanë cilësitë e kundërta. Në një studim të botuar në revistën Nature Communications, amerikanët përdorën një dietë të stilit të Afrikës së Jugut për dy javë, ndërsa 20 Afrikano-Jugorë ruralë përdorën dietën Amerikane. Edhe pas një intervali kaq të shkurtër kohor, ndryshimi ushqimor shkaktoi ndryshime në llojet e baktereve dhe shkallën e inflamacionit në zorrët e secilit grup. Kjo mund të shpjegojë pjesërisht se pse banorët e vendeve Perëndimore - duke përfshirë edhe njerëzit me prejardhje Afrikane - kanë më shumë gjasa të zhvillojnë kancerin e zorrës së trashë sesa Afrikanët
27. Përdorni një biçikletë elektrike, pedaloni më shumë

- Gjatë një eksperimenti të kontrolluar të realizuar së fundmi nga Instituti i Ekonomisë së Transportit në Norvegji, çiklistëve të cilëve u ishte dhënë akses i pakufizuar në një biçikletë elektrike dyfishuan distancën që udhëtuan me biçikleta. Ndërsa bicikletat elektrike mund të pedalohen si homologet e tyre jo-elektrike, ato gjithashtu kanë një motor elektrik me bateri që mund të përdoret për shtytje. Ato ofrojnë më pak aktivitet fizik se sa një biçikletë e zakonshme por sidoqoftë më shumë se një makinë
28. Simptomat e menopauzës zgjasin më shumë se sa besohej deri tani

- Një studim i ri i botuar në revistën JAMA Internal Medicine midis pothuajse 1,500 grave Amerikane me sfonde gjenetike të shumëllojshme sugjeron se sikletet nga menopauza, të tilla si afshet e nxehta dhe djersitjet e natës zgjasin për mesatarisht 7.4 vjet - dhe ndonjëherë mund të vazhdojnë për më shumë se një dekadë. Studiuesit zbuluan se komuniteti mjekësor duhet të zhvillojë një terapi të sigurt afatgjatë për këto simptoma
29. Dieta mesdhetare rrit fuqinë e trurit

- Një dietë Mesdhetare e pasuruar me vaj ulliri ose arra mund të ndihmojë të minimizojë rënien e funksionit njohës të trurit tek të moshuarit. Kjo është përfundimi i një eksperimenti të kryer në Barcelonë, Spanjë, dhe të botuar në JAMA Internal Medicine. Për një periudhë gjashtë vjecare, njerëzit që u caktuan të përdorin dietat e pasura me prodhime, bishtajore, drithëra të plota dhe peshq kishin humbje më të ulëta të funksionit të trurit sesa ata në grupin e kontrollit
30. Dukeni të lodhur? Njerëzit do t’ju gjykojnë për këtë fakt

- Ne e dimë se mungesa e gjumit është e keqe për mendjet dhe trupat tanë, por studimet tregojnë se është e keqe edhe për mënyrën si na perceptojnë të tjerët gjithashtu. Në studimet e Universitetit të Stokholmit të botuara në fillim të këtij viti, pjesëmarrësit shqyrtuan fotot e njerëzve me sasi të ndryshme të syve të mbyllur dhe vlerësuan atraktivitetin, shëndetin, besueshmërinë, udhëheqjen, punësueshmërinë dhe qëndrueshmërinë e tyre. Kur subjektet e fotografuara u dukën të lodhur, ata patën rezultate më të dobëta në këta tregues sesa kur dukeshin se kishin pushuar mjaftueshëm. Përfundimet janë se gjumi i mjaftueshëm mund të ndihmojë më tej karrierën e një personi dhe marrëdhëniet ndërpersonale
31. Vizualizimi i arterieve koronare të kalcifikuara përmirëson shëndetin

- Nga 189 pacientë Danezë të diagnostikuar me sëmundje jo-obstruktive të arterieve koronare, gjysmës së tyre u ishin dhënë informacione standarde rreth rrezikut dhe mënyrës së jetesës. Gjysmës tjetër i’u dhanë po këto këshilla, plus ju treguan imazhe të të pikave të formimit të kalciumit në arteriet e tyre. Ky hulumtim i ri zbuloi se pacientët që panë këto imazhe kishin më shumë gjasa të ndalonin pirjen e duhanit (91% kundrejt 78%), përdornin një dietë të shëndetshme (66% kundrejt 36%) dhe të respektonin terapinë e tyre me statina, duke sugjeruar që vizualizimi i një kërcënimi shëndetësor i motivon njerëzit të bëjnë ndryshime për të zvogëluar rrezikun e tyre
32. Pacientët me psoriasis i pastrojnë të gjitha shenjat e sëmundjes me barnat e reja

- Një grup i ri i barnave, i njohur si inhibitorë IL-17A, bllokojnë një proteinë të veçantë të lidhur me inflamacionin në lëkurën psoriatike. Një ilaci i tillë, secukinumab, u miratua në Europë dhe Amerikën e Veriut në vitin 2015, dhe një konkurrent i mundshëm, ixekizumab, është në mes të fazës III të eksperimenteve klinike. Krahasuar me trajtimet ekzistuese ekzistuese, ato u japin më shumë pacientë lëkurë të pastër ose afërsisht-të pastër brenda tre muajve. Megjithatë, nuk është i gjithi lajm i mirë: zhvillimi i një inhibitori tjetër IL-17A, brodalumab, u ndal pasi disa pacientë kanë raportuar mendime vetëvrasëse gjatë eksperimenteve klinike
33. Pacientët me demencë përfitojnë nga GPS

- Në një studim të vitit 2015 midis 200 Norvegjezësh me demencë, pothuajse të gjithë pacientët gëzonin më shumë pavarësi dhe aktivitet fizik me ndihmën e pajisjeve GPS. Një banor i shtëpive të përkujdesjes tentonte të humbiste dhe ishte i mbyllur në objekt si rezultat i kësaj. Pasi mori një pajisje të tillë, ai ishte i lirë të shëtiste ose të vizitonte kafenetë, pasi ishte e lehtë për stafin që t’a gjente atë. Përdoruesit e GPS në studim dhe kujdestarët e tyre gjithashtu raportuan se ishin më të qetë mendërisht
34. Nuk keni vullnet? Fajësoni stresin

- Për të identifikuar pse vullneti pakësohet, shkencëtarët në Laboratorin për Studime të Sistemeve Sociale dhe Neurale në Universitetin e Zyrihut kohët e fundit kanë përdorur ndihmën e 51 të rinjve të ndërgjegjshëm për shëndetin për një studim të botuar në revistën Neuron. Të ndarë në dy grupe, subjektet kanë shikuar imazhet e ushqimit dhe i kanë vlerësuar ato sipas vlerës së tyre për shëndetin dhe shijes. Anëtarët e një grupi pastaj zhytën një dorë në ujë të akullt për deri në tre minuta, duke rritur nivelet e tyre të hormonit të stresit, kortizol. Kur të rinjtë u pyetën më pas për të identifikuar se cilat çifte ushqimesh i;u dukën më tërheqëse, grupi i stresuar u orientua drejt opsioneve jo të shëndetshme –ose ushqime ngushëllimi
35. Artroskopia nuk është për të gjithë

- Çdo vit, miliona njerëz i nënshtrohen artroskopisë, të njohur ndryshe edhe si operacioni i gjurit nëpërmjet një vrime. Por një rishikim i ri i financuar nga Këshilli Suedez i Kërkimeve ka përfunduar se kur bëhet fjalë për pacientët e moshës së mesme dhe të moshuar me dhimbje në gjunjë dhe sëmundje degjeneruese të gjurit, ky operacion mund të jetë i papërshtatshëm. Po, pacientët që i’u nënshtruan trajtimit atroskopik përjetuan një reduktim të lehtë të dhimbjes. Megjithatë, efekti nuk ishte i përhershëm dhe operacioni shoqërohet me rrezikun e ndërlikimeve - duke përfshirë edhe trombozën e venave të thella - që mund të tejkalojnë përfitimet. Sipas Akademisë Amerikane të Kirurgjisë Ortopedike, terapia fizike, stërvitja dhe preparatet anti-inflamatore mund të përdoren të gjitha për të trajtuar dhimbjen e gjunjve
36. Pajisjet për të ecur në ndihmë të sëmurëve nga COPD

- Për njerëzit me sëmundje kronike obstruktive (të mushkërive COPD) të moderuar ose të avancuar, ecja mund të jetë një sfidë, për shkak të zvogëlimit të kapacitetit të mushkërive dhe funksionit të muskujve. Studiuesit Holandezë së fundmi i kërkuan pacientëve të provojnë dy pajisje të ndryshme ndihmëse për të ecur: një rrotullues (një lëvizës me rrota) dhe një mjet specifik për të ecur i cili ka një vend për mbështetje (draisine). Ky mjet e tejkaloi rrotulluesin për shpejtësi në distanca të shkurtra, por pacientët shëtitën më gjatë dhe më larg me rrotulluesin
37. Muzika qetëson dhimbjen dhe ankthin pas operacionit

- Pacientët që dëgjojnë muzikë pas operacionit, kanë tendencë të ndihen më pak të shqetësuar dhe të kenë më pak dhimbje post-operative, sipas një rishikimi sistematik nga Londra, Angli, që peshoi faktet nga 73 studime. Për ilustrim, një prej autorëve të rishikimit tha se dëgjimi i këngës Ana e Errët e Hënës (Dark Side of the Moon) të grupit muziko Pink Floyd e ndihmoi atë të pushonte në orët pas operacionit të këllqeve. Duke pasur parasysh se muzika nuk e lirë, jo invazive dhe e sigurt, nuk ka asgjë për të humbur nëse dëgjohen këngët e preferuara për të ndihmuar në shërimin
38. Bashkëshortët e të mbijetuarve të goditjes cerebrale janë në rrezik për shëndet të dobët

- Në një përsiatje në stresin që përjetojnë kujdestarët, studiuesit Suedezë shqyrtuan cilësinë e jetës të lidhur me shëndetin të 248 partnerëve të pacientëve të mbijetuar të goditjes cerebrale - jo vetëm në kohën menjëherë pas goditjes, por edhe shtatë vjet më vonë. Krahasuar me një grup kontrolli prej 245 personash, partnerët rezultuan më dobët në fusha të tilla si dhimbja e trupit, funksionimi social dhe shëndeti mendor - veçanërisht kur të dashurit e tyre kishin mbetur me aftësi të kufizuara pas goditjes cerebrale. Gjetjet nënvizojnë nevojën për të gjetur mënyra të qëndrueshme dhe afatgjata për të mbështetur familjet e prekura nga goditja cerebrale
39. Të moshuarit raportojnë cilësi superiore të gjumit

- Një studim i Universitetit të Lausanne të Zvicrës që shqyrton modelet e gjumit të njerëzve të moshës 40-80 vjeç, zbuloi se mesatarisht, sa më të moshuar të ishin njerëzit, aq më të kënaqur ishin ata me mbylljen e syve dhe gjumin e tyre. Moshimi ishte gjithashtu i lidhur me një rënie të gjasave të raportimit të përgjumjes gjatë ditës. Autorët përfunduan, "Ankesat e gjumit nuk duhet të shihen si pjesë e plakjes normale, por duhet të nxisin identifikimin e shkaqeve themelore"
40. Detyrimet “on call” jashtë orarit të punës kanë pasoja

- Telefonat celularë dhe laptopët na lejojnë të punojmë nga kudo dhe në çdo kohë. Por kjo lehtësi ka një anë të errët, sipas një ekipi Gjerman që kohët e fundit ka studiuar efektin e "disponueshmërisë së zgjeruar të punës" në nivelet e kortizolit. Kur dikush pritet të përgjigjet për kërkesat e lidhura me punën, përtej orarit normal të punës, kjo "nuk mund të konsiderohet kohë e lirë", pohuan shkencëtarët. Meqenëse kjo dëmton rimëkëmbjen nga puna, disponueshmëria e vazhdueshme e lë punonjësin në një gjendje më të stresuar mëngjesin e ardhshëm.