8 përfitime shëndetësore surprizuese të birrës
- Kush e dinte?! Nga ndihma për zemrën tuaj deri në luftimin e dëmtimit të dhëmbëve, një birrë (ose dy) në ditë mund të përmirësojë shëndetin tuaj.
- Lexoni artikullin në vijim nga Rider’s Digest Canada për t’u njohur me këto përfitime që vijnë nga konsumi i birrës.
1. Birra është e mirë për zemrën tuaj

- Vera shpesh merr vëmendje qendrore gjatë diskutimeve të shëndetit të zemrës, por mos e anashkaloni përfitimet shëndetësore të birrës. Sipas një studimi të bërë nga studiuesit në Universitetin e Kembrixhit dhe University College London, pirja e rreth gjysëm litri birrë në ditë është lidhur me një rrezik të reduktuar të zhvillimit të disa sëmundjeve kardiovaskulare. Studimi analizoi të dhënat shëndetësore elektronike të gati dy milionë të rriturve të shëndetshëm në Mbretërinë e Bashkuar. Njerëzit që pinin në mënyrë të moderuar kishin më pak gjasa të shihnin një mjek për shtatë gjendje shëndetësore - duke përfshirë ataket në zemër dhe goditjet cerebrale të shkaktuara nga mpiksjet e gjakut - sesa ata që pinin në mënyrë të ekzagjeruar ose nuk pinin fare.
2. Birra mund të mbrojë kundër artritit reumatoid

- Alkooli, duke përfshirë birrën, ka veti anti-inflamatore, dhe kjo ka të ngjarë të shpjegojë pse ai është i lidhur me implikime pozitive për shëndetin e zemrës, si dhe sëmundje të tjera të nxitura nga inflamacioni. Një studim i publikuar në revistën Arthritis & Rheumatology, i cili përfshinte 1.9 milion pjesëmarrës nga Studimi Shëndetësor i Infermiereve (NHS), zbuloi se gratë që pinin alkool dy deri katër herë në javë kishin një ulje të rrezikut të artritit reumatoid prej 31% krahasuar me koleget që nuk pinin kurrë alkool.
3. Birra është një antimikrobik për gojën tuaj

- Birra dhe humulus-lupulus (si dhe vera e kuqe dhe kafeja) përmbajnë komponime antimikrobike që mund të ndihmojnë në luftimin e mikrobeve të padëshiruara në gojë të lidhura me pllakat dhe sëmundjet e mishit të dhëmbëve. Ndërsa një nga përfitimet e birrës është një buzëqeshje më e shëndetshme, kjo nuk do të thotë që ju nuk duhet të lani dhëmbët me furcë dhe t’i pastroni ata me fill dentar. Këto procedura mbeten të nevojshme për një shëndet të mirë oral.
4. Birra mund të mbrojë shikimin tuaj

- A mundet që konsumi i birrës të luajë ndonjë rol për një shëndet më të mirë të syve në terma afatgjatë? Ndoshta. Një studim prej 3,654 personash, i botuar në revistën American Journal of Ophthalmology, zbuloi se pjesëmarrësit me konsum të moderuar të alkoolit kishin një incidencë 50% më të ulët të operacionit të kataraktës (kundrejt atyre që nuk pinin alkool dhe atyre që pinin shumë alkool) gjatë një periudhe prej 5 deri në 10 vjet. Antioksidantët në verë dhe birrë mund të jenë përgjegjës për këto përfitime; disa studime tregojnë se kataraktet dhe degjenerimi makular janë më të përhapura kur dieta përmban nivele të ulëta të antioksidantëve. Le të ngremë dolli për këtë!
5. Birra mund të zvogëlojë rrezikun e gurëve të veshkave

- Gurët e veshkave janë depozita minerale të vogla, të forta që formohen brenda veshkave, të cilat mund të jenë rezultat i dehidrimit ose zgjedhjeve të caktuara të ushqimit. Nëse i keni përjetuar ndonjëherë ata, ju e dini se ata mund të jenë shumë të dhimbshëm kur nxirren jashtë. Një studim i botuar në revistën Clinical Journal of the American Society of Nephrology, midis pothuajse 200,000 pjesëmarrësve, gjeti se ata që pinin rreth një birrë në ditë kishin një rrezik 41% më të ulët për të formuar gurë në veshka. Studiuesit besojnë se kjo mund të jetë për shkak të vetive diuretike të birrës dhe llojeve të tjera të alkoolit.
6. Birra mund të ulë shanset e diabetit të tipit 2

- Ju dëgjoni fraza si "bark birrë" dhe pyesni veten se si ka mundësi që birra të mund të zvogëlojë rrezikun tuaj të diabetit. Por një meta-analizë e 15 studimeve zbuloi se konsumi i moderuar i alkoolit, duke përfshirë birrën, mund të zvogëlojë rrezikun e zhvillimit të diabetit të tipit 2 me 30%. Mund të ketë shumë faktorë në lojë, duke përfshirë efektet anti-inflamatore të alkoolit, sipas autorëve të studimit. Hulumtime të tjera në njerëz pa diabet kanë zbuluar efekte pozitive të konsumit të moderuar të alkoolit në nivelet e insulinës dhe triglicerideve. Është e rëndësishme të theksohet se elementi kyç është konsumi i moderuar; në fakt konsumi i rëndë i birrës ose alkoolit në përgjithësi mund të rrisë rrezikun e diabetit të tipit 2.
7. Birra mund të ndihmojë kockat tuaja

- Birra është një burim i pasur i silicit, i cili është një pjesë kyçe e formimit dhe mirëmbajtjes së kockave në trupin e njeriut. Një studim i botuar në International Journal of Endocrinology zbuloi se inkorporimi i silicit në dietë ka potencialin për të parandaluar dhe trajtuar osteoporozën, veçanërisht në gratë pas menopauzës që përjetojnë humbjen e kockave. Ushqime të tjera që kanë silic janë drithërat e plota, cerealet dhe disa perime, përfshirë mashurkat jeshile.
8. Birra mund t’a mbajë trurin tuaj të shëndetshëm

- Silici i gjendur në birrë gjithashtu mund të ndihmojë trurin tuaj. Ai mbron trurin tuaj nga komponimet që mund të shkaktojnë sëmundje kognitive. Ekziston edhe një studim që thotë se një përbërës i gjetur në humulus-lupulus, xanthohumol, mbështet qelizat neuronale të cilat mund të ndihmojnë në parandalimin e çrregullimeve neurodegjenerative siç janë Alzheimer, demenca dhe Parkinson. Një dolli për një jetë të gjatë e të shëndetshme!