The Wall
Klodian Rjepaj, 14/02/2021
199
Dekadën e fundit, populizmi i “djathtë”, si një ideologji në ngritje në botë dhe në Europë, ka pasë një ndikim të madh në forcimin e kontrollit të kufijve. Nuk flas këtu për kontrollin normal të kufijve, as për zbatimin e procedurave ashtu siç janë të shkruara. Flas për ‘ankthe’ apo ‘makthe’ të diskursit politik në lidhje me identitetin , kulturën dhe sigurinë ekonomike. Në rastin e pandemisë Covid-19, këto më sipër shumëfishohen si rezultat i frikës së përbashkët. Sindroma e ‘Murit’ ( the Wall) është bërë gjithnjë e më shumë prezente edhe në Europë. Rasti tipik i ‘frikërave’ , ‘anktheve’ apo ‘maktheve’ të përkthyera në politika non sens, ishte dhe mbetet bllokimi i lëvizjes së lirë në EU apo dhe më gjerë. Mbivendosja e dy koncepteve, ai i mbrojtjes së Shëndetit dhe Lëvizjes së Lirë, ka qenë një çështje e trajtuar qysh në Traktatin e Romës 1957, duke lejuar vendet anëtare të kontrollojne lëvizjet kufitare nëse vihet ne rrezik shëndeti i popullatës. Gjithashtu, neni 45 i Traktatit të Lisbonës, në fuqi prej 2009’s, jep mundësinë e kufizimit të lëvizjes së lirë për arsye të shëndetit publik. Pavarësisht kornizës së mësipërme, deri më sot, nuk ka pasë asnjë evidencë shkencore që të tregojë se mbyllja e kufijve mund të japë efekt në parandalimin e epidemisë, kur kjo e fundit është në fazën e transmetimit komunitar dhe njësoj pothuaj në të gjitha vendet. Në Mars të këtij viti (2020), një artikull ( the Conversation) nga Frederique Berrod dhe Pierrick Bruyas ( Universite de Strasbourg), përforconte idenë se BE u ndërtua mbi parimin e heqjes së kufijve dhe promovimit të lëvizjes së lirë gjë që në fakt, nën optikën e pandemisë aktuale u ripërcaktua në mënyrë të ndryshme edhe si një mekanizëm sigurie i çdo vendi më vete. Pyetja që u ngrit nga shumë aktorë, bile edhe nga OBSH, ishte nëse mbyllja e kufijve, ishte një mënyre efikase për të mbrojtur Shëndetin Publik. Kjo pyetje e ka përgjigjen tek Politika apo Politikat.