Ushqyerja e shëndetshme për fëmijët e moshës shkollore
Ushqyerja e shëndetshme (e variueshme dhe e ekuilibruar) e kombinuar me aktivitet fizik të përshtatshëm për moshën, janë garancia që fëmija të rritet i shëndetshëm dhe energjik, dhe të gëzojë një zhvillim fizik dhe mendor optimal.
Ushqyerja e variueshme dhe e ekuilibruar, nënkupton marrjen çdo ditë të ushqimeve nga të gjitha grupet ushqimore.
Më shumë infoNuk ekziston asnjë ushqim i vetëm (përveç qumështit të gjirit gjatë gjashtë muajve të parë të jetës) që të përmbajë të gjitha vlerat ushqyese të domosdoshme për funksionimin normal të organizmit të një individi. Ndaj është e rëndësishme të kemi një ushqyerje të ekuilibruar dhe me sa më shumë ngjyra.
Grupet ushqimore
Grupi i Frutave dhe Perimeve
Në këtë grup bëjnë pjesë të gjitha frutat dhe perimet e freskëta, të gatuara, të thata, të ngrira, të shtrydhura si lëngje, të konservuara, sallatat, apo turshitë.
Këto ushqime përmbajnë kryesisht fibra (karbohidrate), vitamina (kryesisht të grupit B dhe C) dhe minerale (kalium, magnez, natrium, etj), të cilat janë esenciale për të qënë të shëndetshëm, pasi favorizojnë funksionimin sa më të mirë të aparatit tretës dhe i japin organizmit vitamina dhe minerale të domosdoshme për kryerjen e funksioneve vitale.
Ofrojini fëmijëve 2-3 herë në ditë fruta dhe 2-3 herë perime të llojeve të ndryshme. E thjeshtë për t’u mbajtur mend është rregulli “5 në ditë” dhe sa më të ndryshme. Një porcion fruta për fëmijët 4-15 vjeç është 100-150 gr në ditë. Kjo është e barabartë me një frut si molla, dardha, portokalli, etj apo 2-3 fruta të vogla si kumblla, mandarina, apo një kupë me qershi, rrush, etj.
Një porcion perime për fëmijët 4-15 vjeç varion sipas moshës nga 100 në 250 gr në ditë. Një porcion fruta ose perime mund të zëvendësohet me një lëng frutash ose perimesh të freskëta dhe të shtrydhura, pa i shtuar sheqer.
Grupi i Drithrave
Në këtë grup bëjnë pjesë të gjitha produktet me bazë drithrat (buka e llojeve të ndryshme- gruri, misri, thekre, etj; cerealet, makaronat, biskotat, ëmbëlsirat, etj), orizi, patatet, etj
Këto ushqime përmbajnë shumë karbohidrate (= sheqerna) të formave të ndryshme si: niseshte, fibra, por edhe vitamina të grupit B dhe magnez.
Karbohidratet i ofrojnë organizmit energji për të jetuar, rritur, mësuar, menduar dhe luajtur. Ato janë si karburanti për makinën dhe në këtë moshë duhet të përbëjnë 55-60% të kalorive ditore.
Këshillohet që fëmijët të hanë një porcion i këtij grupi sa herë hanë ushqim.
Një porcion drithra për fëmijët 4-15 vjeç është 40-50 gr në vakt.
Zgjidhni sa më shumë produkte të bëra me drithra integrale ose të papërpunuara si buka e zezë, makaronat, orizi apo sheqeri kaf, pasi ato kanë më shumë vlera ushqyese (fibra dhe vitamina) dhe japin ndjenjën e ngopjes për një kohë më të gjatë në krahasim me produktet me miell të bardhë apo të përpunuar. Sasia e drithrave të marra mund të jetë e ndryshme në varësi të aktivitetit fizik që kryen fëmija, pra kur kryen sporte të ndryshme, ka nevojë për sasi më të mëdha dhe anasjelltas.
Grupi i proteinave
Në këtë grup bëjnë pjesë mishi i viçit, lopës, qingjit, derrit, të brendshmet e tyre dhe të gjitha nënproduktet si: proshuta, sallami, qoftet, etj; si dhe të gjitha llojet e peshkut, pulave, lepuri, vezët ose bishtajoret (fasulet, thjerrzat, qiqrat, etj)
Këto ushqime përmbajnë proteina, të cilat janë elementet ndërtuese të organizmit apo “tullat” e trupit; hekur (sidomos në mishin e kuq dhe vezët) dhe vitamina të grupit B. Bishtajoret janë proteina bimore dhe përmbajnë kryesisht vitamina të grupit B, hekur, kalçium, fosfor, magnez dhe fibra ushqimore.
Ushqimet e këtij grupi janë të rëndësishme për të ndërtuar dhe rinovuar qelizat dhe indet, për të siguruar funksionimin e mirë të tyre, për të parandaluar aneminë dhe uljen e oreksit.
Jepini fëmijëve një porcion prej ushqimeve të këtij grupi në ditë.
| Porcioni i mishit | 4-7 vjeç 8-15 vjeç | 60-70 gram/ditë 80-100 gram/ditë |
| Porcioni i peshkut | 4-7 vjeç 8-15 vjeç | 60-70 gram/ditë 80-100 gram/ditë |
| Veza | 4-7 vjeç 8-15 vjeç | 2 vezë në javë 3 vezë në javë |
| Porcioni i bishtajoreve | 4-7 vjeç 8-15 vjeç | 20 gram/ditë 30 gram/ditë |
Grupi i Qumështit dhe nënprodukteve të tij
Në këtë grup bëjnë pjesë qumështi, kosi, gjiza, djathrat e ndryshëm (të butë, të shkrirë, të grirë apo të stazhonuar), etj. Këto ushqime përmbajnë kalçium, proteina, vitamina (D, A, B2) dhe fosfor. Qumështi dhe nënproduktet e tij janë të rëndësishëm për formimin e kockave dhe dhëmbëve tek fëmijët.
Për të plotësuar nevojat ditore të fëmijëve duhet t’ju ofroni çdo ditë 2-3 porcione të këtyre produkteve.
| Porcioni i qumështit | 4-6 vjeç 7-9 vjeç 10-15 vjeç | 100 ml/ditë 130 ml/ditë 200 ml/ditë |
| Porcioni i kosit | 4-6 vjeç 7-9 vjeç 10-15 vjeç | 125-150gr 100 gr 180 gr |
| Porcioni i djathit | 4-7 vjeç 7-15 vjeç | 25 gr 35 gr |
| Porcioni i gjizës | 4-7 vjeç 7-15 vjeç | 60 gr 80 gr |
Grupi i Yndyrnave
Në këtë grup bëjnë pjesë yndyrnat shtazore (gjalpi, dhjami, ajka e qumështit/ pana), dhe ato bimore (vajrat, majoneza dhe arroret).
Këto ushqime i ofrojnë organizmit shumë energji dhe përmbajnë vitamina (A, D, E dhe K) dhe lëndë të tjera ushqyese të nevojshme për organizmin. Arrat, lajthitë dhe bajamet përmbajnë vitaminë E.
Marrja e kujdesshme dhe e variueshme e këtyre ushqimeve është e domosdoshme për plotësimin e nevojave të fëmijëve. Yndyrnat më të preferuara në gatim duhet të jenë ato me origjinë bimore si vaji i ullirit. Gjalpi duhet të përdoret me pakicë dhe i ftohtë, si në rastin e lyerjes së bukës.
Sasia e këshilluar është maksimimi 4 lugë çaji në ditë.
Tregohuni të kujdesshëm ndaj vajrave të fshehura në gatimet e gatshme! Është e rëndësishme të lexoni etiketat e produkteve ushqimore që të dini llojin e yndyrës që përmbajnë. Këshillohet të mos përdoren yndyrnat si margarina, të cilat janë yndyrna trans, të hidrogjenizuara dhe të dëmshme për organizmin. Një produkt ushqimor konsiderohet i përshtatshëm, kur përmban më pak se 10 gr yndyrë për çdo 100 gram produkt.
Pijet
Në këtë grup bëjnë pjesë uji, çajrat dhe lëngu i zierjes së perimeve apo frutave pa asnjë shtesë tjetër.
Marrja e sasisë së duhur të ujit dhe pijeve të tjera, është shumë e rëndësishme për të lehtësuar punën e aparatit tretës dhe veshkave, si dhe për të parandaluar shfaqjen e kapsllëkut dhe dehidrimit.
Fëmijët 4-15 vjeç duhet të pinë 1- 1,5 litër ujë dhe lëngje në ditë.
Ndalohet totalisht përdorimi i alkoolit! Në raste të veçanta, fëmijët mund të marrin pije që përmbajnë kafeinë dhe teinë, si çaj të ftohtë apo coca-cola, pepsi, etj.
Pijet e ëmbëlsuara përmbajnë shumë sheqer dhe pak vlera ushqyese, ndaj edhe ato nuk këshillohen. Madje duhen evituar për fëmijët edhe pijet pa sheqer apo “light”.
Përsa i përket lëngjeve të shtrydhura, të freskëta të frutave apo perimeve, ato duhen konsideruar ushqime dhe jo pije. Pra mund të themi se pija e vetme e përshtatshme për fëmijët është uji (ose çajrat me pak ose aspak sheqer).