Ulçera peptike
- Ulçerat peptike janë plagë të hapura që zhvillohen në veshjen e brendshme të stomakut (ulçera gastrike) dhe në pjesën e sipërme të zorrës së hollë (ulçera duodenale)
- Cdo person mund të preket nga ulçera peptike, nëse ekspozohet për një kohë të caktuar ndaj agjentëve shkaktarë të ulçerës dhe nuk merr masa për parandalimin e saj
- Rreth 75% e njerëzve me ulçera peptike nuk kanë shenja dhe simptoma
- Simptoma më e zakonshme e ulçerës është dhimbja djegëse e stomakut, e cila lehtësohet kur konsumohen ushqime të caktuara që thithin acidin e stomakut ose ilace që reduktojnë acidin, por më pas dhimbja rikthehet
- Pa trajtim, ulçera mund të shkaktojë komplikacione serioze duke përfshirë hemoragjitë e brendshme masive, perforacionin dhe infeksionin e rëndë të kavitetit abdominal (peritonit), etj.
- Ekzistojnë metoda efektive për diagnostikimin e dhe trajtimin e ulçerës peptike
- Ulçera peptike në pjesën dërrmuese të rasteve përgjigjet shumë mirë ndaj trajtimit medikamentoz dhe shumë rrallë nevojitet kirurgjia (për trajtimin e komplikacioneve serioze)
- Cdo njeri mund të ulë rrezikun e zhvillimit të ulçerës peptike duke marrë masa të thjeshta
Ky informacion mund t`ju ndihmojë ju të kuptoni më shumë rreth ulçerës peptike dhe se cfarë mund të bëni ju për të zvogëluar rrezikun tuaj për këtë gjendje
Ndajeni informacionin me të gjithë njerëzit e tjerë që njihni
Ulçera peptike – cfarë është
- Ulçerat peptike janë plagë të hapura që zhvillohen në veshjen e brendshme të stomakut dhe në pjesën e sipërme të zorrës së hollë
- Simptoma më e zakonshme e ulçerës peptike është dhimbja e stomakut
Kush preket nga ulçera peptike?
- Cdo person mund të preket nga ulçera peptike, nëse ata ekspozohen për një kohë të caktuar ndaj agjentëve shkaktarë të ulçerës dhe nuk marrin masa për parandalimin e saj
Llojet e ulçerës peptike
Ulçerat peptike përfshijnë:
- Ulçerat gastrike që ndodhin në brendësi të stomakut
- Ulçerat duodenale që ndodhin në brendësi të pjesës së sipërme të zorrës së hollë (duodenumi)

Figura. Ulçera peptike
Simptomat dhe shenjat e ulçerës peptike
Pavarësisht dëmtimit të veshjes së brendshme të stomakut apo zorrës së hollë, gati tre të katërtat e njerëzve me ulçera peptike nuk kanë simptoma
Midis njerëzve që kanë shenja dhe simptoma nga ulçera peptike, simptoma më e zakonshme e ulçerës peptike është dhimbja djegëse e stomakut. Acidi i stomakut e përkeqëson edhe më shumë dhimbjen, ashtu sikurse edhe stomaku bosh (kur nuk ka ushqim)
Dhimbja shpesh mund të lehtësohet duke ngrënë ushqime të caktuara që thithin acidin e stomakut ose duke marrë një medikament që redukton acidin, por pastaj mund të ri-kthehet. Dhimbja mund të jetë më e theksuar midis vakteve dhe gjatë natës
Simptomat kryesore të ulçerës peptikë përfshijnë:
- Dhimbje djegëse e stomakut
- Ndjenja e plotësisë, fryrjes së barkut ose gromësira
- Intoleranca ndaj ushqimeve me yndyrë
- Urth
- Nauzea
Më rrallë, ulçerat mund të shkaktojnë shenja ose simptoma të rënda të tilla si:
- Të vjella ose vjellja e gjakut – i cili mund të duket i kuq ose i zi
- Gjaku i errët në fece, ose fece që janë të zeza ose si zift
- Probleme frymemarrjeje
- Lodhje ose gjendje të fikti
- Nauzea ose të vjella
- Humbje e pashpjegueshme e peshës
- Ndryshimet e oreksit
Shkaqet
Ulçera peptike ndodh kur acidi në traktin digjestiv dëmton sipërfaqen e brendshme të stomakut ose zorrëve të holla. Acidi mund të krijojë një plagë të hapur të hapur që mund të rrjedhë gjak
Shkaqet më të shpeshta të ulçerave peptike janë:
Infeksioni me bakterin Helicobacter pylori (H. Pylori)
- Shpesh, bakteri H. pylori nuk shkakton probleme, por mund të shkaktojë inflamacion të shtresës së brendshme të stomakut, duke prodhuar një ulçerë
- Nuk është e qartë se si përhapet infeksioni nga H. pylori. Mund të transmetohet nga personi në person me kontakt të ngushtë, siç është puthja. Njerëzit gjithashtu mund të infektohen nga H. pylori përmes ushqimit dhe ujit
Përdorimi afatgjatë i aspirinës dhe ilaçeve anti-inflamatore josteroide (NSAIDS)
- Marrja e aspirinës si dhe disa ilaçe pa recetë kundra dhimbjes të quajtur medikamente anti-inflamatore josteroide (NSAIDs) mund të irritojnë ose inflamojnë veshjen e brendshme të stomakut dhe të zorrëve të holla. Këto barna përfshijnë ibuprofen, naproxen sodium, ketoprofen dhe të tjerë. Ata nuk përfshijnë acetaminofenin (paracetamolin).
- Medikamente të tjera. Marrja e medikamenteve të tjera së bashku me NSAID, të tilla si steroidet, antikoagulantët, aspirina me dozë të ulët, frenuesit selektiv të rimarrjes së serotoninës (SSRIs), alendronat dhe risedronat mund të rrisin shumë mundësinë e zhvillimit të ulçerave
Stresi dhe ushqimet pikante nuk shkaktojnë ulçera peptike. Megjithatë, ata mund t’i përkeqësojnë simptomat.
Faktorët e rrezikut
Faktorët e rrezikut të ulçerave peptike përfshijnë:
- Infeksioni me H. Pylori
- Përdorimi peridodik i aspirinës dhe disa ilaceve kundra dhimbjes
- Duhanpirja
- Konsumi i alkoolit
- Stresi i patrajtuar
- Konsumi i ushqimeve pikante
Të vetëm, këta faktorë nuk shkaktojnë ulçerat, por ato mund t'i përkeqësojnë ato dhe të vështirësojnë shërimin e tyre
Komplikimet e ulçerave peptike
Komplikacionet e ulçerës peptike të patrajtuar përfshijnë:
- Gjakderdhje (hemoragji) të brendshme – kjo gjendje mund të kërkojë shtrimin në spital dhe transfuzion gjaku. Hemoragjia e rëndë mund të shkaktojë të vjella me ngjyrë të zëzë, të vjella me gjak ose fece të zeza ose me gjak
- Infeksion – nëse ulçera penetron murin e stomakut dhe zorrës së hollë, rrit rrezikun e infeksionit të rëndë të kaviteti abdominal (peritoniti)
- Obstruksion. Ulçera peptike mund të bllokojë kalimin e ushqimit nëpërmjet traktit të tretjes, duke bërë që pacienti të ketë ndjesëin e plotësisë (të ngopurit) shpejt, të vjella dhe të humbasë peshë përmes ënjtjes nga inflamacioni ose cikatrizimit
Parandalimi i ulçerës peptike
Rreziku i ulçerës peptik mund të ulet nëse:
Merrni masa për t’u mbrojtur nga infeksioni me bakterin Helicobacter pylori
- Nuk është e qartë se si transmetohet H. pylori, por ka disa fakte se mund të transmetohet nga personi në person ose nëpërmjet ushqimit dhe ujit
- Mund të merrni disa masa për t’u mbrojtur nga infeksioni me H. Pylori, duke lare duar shpesh me sapun dhe uje dhe duke konsumuar ushqime që janë gatuar mirë
Përdorni me kujdes ilacet kundra dhimbjes që rrisin rrezikun e ulçerës peptike
- Nëse përdorni në mënyrë të vazhdueshme ilace kundra dhimbjes që rrisin rrezikun e ulçerës peptike, merrni masa që të zvogëloni rrezikun e problemeve të stomakut. Për shembull, merrini ilacet se bashku me ushqimin
- Punoni me mjekun për të gjetur dozën më të ulët të mundshme që lehtëson dhimbjen. Shmangni konsumin e alkoolit kur pini ilacet, sepse kombinimi i tyre mund të rrisë rrezikun e shqetësimeve të stomakut
Ekzaminimet për diagnozën e ulçerës peptike
Për të zbuluar një ulçerë, mjeku mund të marrë së pari historinë mjekësore dhe të kryejë një ekzaminim fizik. Ju pastaj mund t'i nënshtroheni testeve diagnostike, si:
- Testet laboratorike për H. Pylori - H. pylori mund të zbulohet duke përdorur një test gjaku, feceje ose frymëmarrjeje
- Endoskopia. Mjeku mund të përdorë një tub me dritë dhe kamera për të ekzaminuar pjesën e sipërme të sistemit të tretjes (endoskopia), e cila lejon ekzaminimin vizual të ulçerës dhe marrjen e mostrave të indeve për biopsi
- Radiografi në seri të pjesës së sipërme gastrointestinale. Në këtë rast, pacienti gëlltit një solucion me barium, dhe bëhen disa radiografi me rreze X të pjesës së sipërme digjestive për të vizualizuar ezofagun, stomakun dhe zorrën e hollë. Solucioni vesh këto struktura dhe ulçera mund të duket mirë nën rrezet X

Figura. Endoskopia
Trajtimi i ulçerës peptike
Trajtimi i ulçerës peptike varet nga shkaku. Zakonisht trajtimi do të përfshijë eleminimin e H. pylori bakter, nëse është i pranishëm, duke eliminuar ose reduktuar përdorimin e NSAIDs, nëse është e mundur, dhe duke ndihmuar ulçerën të shërohet me ilaçe
Trajtimi me medikamente
- Antibiotikë për të eleminuar H. Pylori - Ju do të keni nevojë të merrni antibiotikë për dy javë, si dhe medikamente shtesë për të zvogëluar acidin e stomakut, duke përfshirë një frenues të pompës së protonit dhe ndoshta subsalicilat bismuthi
- Medikamente që bllokojnë prodhimin e acidit dhe nxisin shërimin - Frenuesit e pompës së protoneve - të quajtur edhe PPIs - reduktojnë acidin e stomakut duke bllokuar veprimin e pjesëve të qelizave që prodhojnë acid
- Përdorimi afatgjatë i frenuesve të pompës protonike, sidomos në doza të larta, mund të rrisë rrezikun e thyerjes së këllqeve, kyceve të duarve dhe shtyllës kurrizore. Pyetni mjekun nëse një shtojcë e kalciumit mund ta zvogëlojë këtë rrezik.
- Medikamente për të zvogëluar prodhimin e acidit - Bllokuesit e acidit - të quajtur gjithashtu anti-histaminikët H-2 - zvogëlojnë sasinë e acidit të stomak të cliruar në traktin tretës, duke lehtësuar dhimbjen e ulçerës dhe inkurajuar shërimin.
- Antacidet që neutralizojnë acidin e stomakut - Antacidët neutralizojnë acidin ekzistues të stomakut dhe mund të sigurojnë lehtësim të shpejtë të dhimbjeve (këto përdoren vetëm për lehtësimin e simptomave, jo për shërimin e ulçerës).
- Medikamente që mbrojnë veshjen e brendshme të stomakut dhe zorrëve të holla - Agjentët citoprotektivë ndihmojnë në mbrojtjen e indeve që veshin stomakun dhe zorrën e hollë.
Në përgjithësi, me trajtim shumica e ulçerave shërohen. Nëse ulçera nuk përgjigjet ndaj trajtimit, ajo emërtohet “ulçer refraktare”. Kjo situatë ndodh zakonisht kur:
- Medikamentet nuk merren sipas udhëzimeve
- Disa lloje H. pylori janë rezistente ndaj antibiotikëve
- Personi vazhdon të pijë duhan
- Personi vazhdon të përdor rregullisht ilace kundër dhimbjes që rrisin rrezikun e ulçerës
- Ka mbiprodhim ekstrem të acidit të stomakut (e rrallë)
- Personi ka kancer të stomakut
- Personi vuan nga infeksione ose sëmundje të tjera
Trajtimi i ulçerës refraktare përfshin eleminimin e faktorëve që pengojnë shërimin, në kombinim me antibiotikë të ndryshëm
Kur ulçera jep komplikacione serioze, si hemoragji akute masive dhe perforacion, mund të ketë nevojë për kirurgji, por këto janë raste shumë të rralla sepse ulçerat peptike dominohen mjaft mirë me terapinë medikamentoze dhe ndryshimin e stilit të jetesës.
Stili i jetesës dhe masat në kushtet e shtëpisë
Për të lehtësuar dhimbjen e ulçerës së stomakut:
- Zgjidhni një dietë të shëndetshme - fruta, sidomos me vitaminat A dhe C, perime dhe drithëra
- Konsideroni ushqime që përmbajnë probiotikë - kos, djathrat e stazhionuar, dhe lakër turshi
- Merrni parasysh eliminimin e qumështit
- Konsideroni ndërrimin e ilaceve kundër dhimbjes
- Kontrolloni stresin
- Mos pini duhan
- Kufizoni ose shmangni alkoolin
- Mundohuni të flini mjaftueshëm

Figura. Ushqimet që duhen shmangur nëse keni ulçer peptike
Mjekësia alternative
- Medikamentet pa recetë që përmbajnë karbonat kalciumi, mund të ndihmojnë në trajtimin e ulçerave peptike, por nuk duhet të përdoren si trajtim primar. Ekzistojnë gjithashtu disa prova se zinku mund të ndihmojë në shërimin e ulçerave
- Ndër preparatet biologjike që rekomandohen për trajtimin e ulçerave peptike përfshihen shafrani, mastiku, lakra, etj.
- Ndërkohë që medikamente pa recetë dhe medikamentet alternative mund të jenë të dobishëm, mungojnë faktet shkencore mbi efektivitetin e tyre. Prandaj nuk rekomandohen si trajtim parësor për ulçerat peptike
Pyesni mjekun tuaj për ekzaminimet për ulçerat peptike që ofrohen në qytetin ku ju banoni.
Konsultohuni me mjekun e qëndrës suaj shëndetësore për cdo informacion që ju kërkoni të dini.
Konsultohuni online me mjekun
Shih materialin Video (intervista me mjekun; intervista me personel mjekësor, testimonials, vox pop)