Gratë po i anashkalojnë simptomat e kancerit gjatë periudhës së pandemisë, sipas studimit të ri nga “Target Ovarian Cancer” dhe kjo gjë po vendos në rrezik jetët e tyre.
Për sa ju përket simptomave kryesore te kancerit të vezoreve, më pak se 2 në 10 gra (17%) thonë se do të rezervonin një takim urgjent tek mjeku (brenda një jave) nëse do të përjetonin ndjesi të fryrjes dhe tendosjes së barkut vazhdimisht, në ndryshim nga simptomat e tjera, si formimi i një mase të pashpjegueshme apo një nishan që ka ndryshuar formë, ku mbi 50% e grave do të shkonin tek mjeku brenda një jave.
Pandemia ka rritur rrezikun e diagnostikimit të vonshëm të kancerit të vezoreve: gratë mendojnë se mjeku i tyre është i hapur vetëm për takime urgjente, dhe nuk i shohin simptomat e tyre si urgjente. Aktualisht, dy të tretat e grave diagnostikohen vonë, pra kur kanceri është përhapur tashmë dhe është shumë më e vështirë për tu trajtuar me sukses. Nëse diagnostikohet në fazën më të hershme, 9 nga 10 raste (93%) do të mbijetojnë për pesë vjet ose më shumë, ndërsa kur diagnostikohet në fazën më të përparuar (faza IV) vetëm 13% mbijetojnë.
Dr. Alison Wint, mjek i përgjithëm dhe Drejtues Klinik për Kancerin në NHS Bristol thotë: “Kanceri nuk po zhduket vetëm për shkak të Covid-19. Në fakt, është më e rëndësishme se kurrë të merrni seriozisht simptomat urgjente të tilla si: ndjesi të fryrjes dhe tendosjes së barkut, ndjesi ngopje ose humbje e oreksit, dhimbje barku, nevoja për të urinuar më shpesh ose më urgjentisht, probleme me zorrët apo humbje në peshë.”
Annwen Jones OBE, Shefi Ekzekutiv i Target Ovarian Cancer, tha: “është absolutisht thelbësore që gratë të dinë që fryrja dhe tendosja e vazhdueshme e barkut duhet të kontrollohet nga një mjek i përgjithshëm. Pandemia mund ta bëjë të vështirë vendosjen e vetes në radhë të parë, por kontrolli i menjëhershëm dhe fillimi i trajtimit bën ndryshimin. ”
Target Ovarian Cancer është organizata kryesore bamirëse e Mbretërisë së Bashkuar për kancerin e vezoreve, që po punon për muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e vezoreve këtë mars.